Qumështi i gjirit të nënës është një kombinim unik i ushqyesve thelbësor për shëndetin e fëmijës, dhe nuk mund të dublohet nga asnjë formulë laboratorike. Ai ofron një numër të madh avantazhesh shëndetësore duke filluar nga lindja dhe duke vazhduar gjatë gjithë jetës së një fëmije. Në fakt, një numër i madh problemesh shëndetësore me të cilat përballen fëmijët e sotëm mund të zvogëlohen, apo edhe të parandalohen, nëse ju e ushqeni ekskluzivisht me gji foshnjën për të paktën gjashtë muajt e parë të jetës. Sa më gjatë që nëna ta ushqejë me gji, aq më shumë ka të ngjarë që fëmija i saj të marrë përfitimet shëndetësore të ushqyerjes me gji.

Akademia Amerikane e Pediatrisë (AAP) rekomandon që nënat t’i japin gji fëmijës për të paktën 1 vit dhe të vazhdojnë gjidhënien derisa ata të dy të jenë të gatshëm për ta ndaluar atë. Në 6 muajt e parë, fëmija duhet të ushqehet vetëm me qumësht gjiri. Futja e ngadaltë e ushqimeve të pasuruara me hekur mund të plotësojë gjidhënien në gjysmën e dytë të vitit të parë. Gjidhënia, pa shtesa gjatë 6 muajve të parë zvogëlon mundësinë e kontaminimit të ushqimit për shkak të ujit të ndotur apo kequshqyerjes, si pasojë e formulës së mbi-holluar. Prandaj, fëmija duhet të ushqehet pa ndërhyrjen e ujit, ujit me sheqer, lëngjeve, apo formulës, përveçse kur këtë e kërkon një kusht shëndetësor. AAP pohon se qumështi i gjirit ka ekuilibrin e përsosur të vlerave ushqimore për të miturin. Ai është në vetvete një furnizim i mjaftueshëm për rreth 6 muajt e parë të jetës dhe duhet të vazhdojë si ushqim shtesë për fëmijën gjatë vitit të parë të jetës së tij.

Një shumëllojshmëri studimesh kanë treguar se ushqyerja me gji rrit imunitetin e fëmijës ndaj sëmundjeve dhe infeksioneve:

  • Shumë studime tregojnë se dhënia e gjirit forcon sistemin imunitar. Gjatë gjidhënies, nëna kalon antitrupa tek fëmija, të cilat e ndihmojnë fëmijën t’i rezistojë sëmundjeve dhe e ndihmojnë atë të përmirësojë përgjigjen normale imune ndaj vaksinave të caktuara.
  • Sëmundjet e frymëmarrjes janë shumë më të zakonshme tek fëmijët e ushqyer me formulë. Në fakt, një analizë e shumë studimeve të ndryshme kërkimore doli në përfundimin se foshnjat e ushqyera me Formulë përballen me një rrezik 3fish më të madh për të qenë të shtruar në spital nga një infeksion i rëndë i frymëmarrjes sesa foshnjat e ushqyera me gji për të paktën katër muaj.
  • Sëmundja e diarresë ka 3 deri në 4 herë më shumë gjasa të ndodhë në foshnjat e ushqyera me formulë se tek ato të ushqyera me qumësht gjiri.
  • Qumështi i gjirit ka treguar se zvogëlon gjasat e infeksioneve të veshit, dhe parandalon infeksionet kronike të tij, të cilat janë një arsye e madhe pse foshnjat marrin kura të shumta me antibiotikë.
  • Në vendet në zhvillim, dallimet në normat e infeksionit mund të ndikojnë seriozisht shanset e një foshnjes për mbijetesë. Për shembull, në Brazil, një fëmijë i ushqyer me formulë ka 14 herë më shumë gjasa të vdesi se sa një fëmijë i ushqyer ekskluzivisht me gji.
  • Hulumtuesit kanë vërejtur një rënie përsa i përket Vdekshmërisë së Papritur Foshnjore (SIDS) në foshnjat e ushqyera me gji.
  • Një përfitim tjetër i dukshëm nga të ushqyerit me gji mund të jetë mbrojtja nga alergjitë. Ekzema, një reaksion alergjik, është dukshëm më e rrallë në foshnjat e ushqyera me gji. Një përmbledhje e 132 studimeve mbi alergjitë dhe ushqyerjen me gji ka dal në përfundimin se ushqyerja me gji ka ndihmuar në mbrojtjen e fëmijëve nga alergjitë në zhvillim, dhe se efekti duket të jetë veçanërisht i fortë në mesin e fëmijëve prindërit e të cilëve kanë alergji.