Gjinjtë e mi ndjehen bosh! A është kjo shenjë se nuk kam mjaftueshëm qumësht?

0
8972

56569885_compressed

Është normale që gjinjtë e një nëne të fillojnë të ndjehen më pak të plotë, dhe të butë, madje edhe bosh, pas 6-12 javëve të para.

Shumë nëna kanë shqetësime në lidhje me furnizimin e tyre me qumësht pas javëve të para, sepse ato vënë re një rënie në sasinë që pompojnë ose ato vërejnë se gjinjtë e tyre ndihen “të buta”, ose “bosh”. Është normale që gjinjtë tuaj të ndjehen kryesisht të butë pas javëve të para, por në qoftë se ka pasur një shtrirje të gjatë kohore pa gjidhënie ose pompim, gjokset tuaj mund të ndjehen më të plota dhe të rënda.

Ndjenja e plotësisë (ndonjëherë edhe bllokimi i qumështit) që nënat me gji vënë re gjatë javëve të para të ushqyerjes me gji nuk është në të vërtetë normale, por do të thotë që gjinjtë e nënës nuk janë përshtatur ende me sasinë e qumështit për të cilën fëmija ka nevojë. Në disa pika, zakonisht rreth 6-12 javësh, furnizimi juaj me qumësht do të fillojë të rregullohet dhe gjinjtë tuaj do të fillojnë të ndjehen më pak të plotë, më të butë, apo edhe bosh. Nëse një nënë ka mbiprodhim qumështi kjo mund të dojë më shumë kohë për t’u rregulluar.

Juve mund t’iu ndalojë rrjedhja e pakontrollueshme e gjirit, mund të mos e ndjeni më ose mund ta ndjeni më pak let down-in (ndjesinë kur rrjedh qumështi), dhe në qoftë se ju pomponi mund të vëreni se nuk nxirrni më të njëjtën sasi qumështi si më parë. Kjo nuk do të thotë se furnizimi me qumësht ka rënë, por se trupi juaj ka zbuluar se për sa qumësht ka nevojë fëmija juaj dhe nuk është duke prodhuar më shumë nga sa po zbrazet gjiri.

Ky ndryshim mund të ndodhë gradualisht ose mjaft papritur. Shumë njerëz nuk janë të vetëdijshëm dhe nuk kanë informacione se këto ndryshime të gjirit janë normale, për shkak se ka shumë nëna të cilat ua heqin gjirin më herët bebeve dhe nuk e shohin fare këtë ndryshim (ose gabimisht e interpretojnë këtë ndryshim si një shenjë se furnizimi me qumësht ka rënë dhe gjiri është tharë dhe e heqin bebin nga gjiri për shkak të këtij ndryshimi).

Pse ky ndryshim?

Edhe pse sinteza e qumështit ka kaluar tashmë nën kontrollin autokrin (e drejtuar nga zbrazja e gjirit), pasi vjen qumështi i nënës, ndikimi hormonal në javët e para apo muajt shpesh shkakton që nënat të prodhojnë më shumë qumësht nga sa fëmija i tyre ka nevojë. Nivelet e hershme hormonale të paslindjes kanë tendencën për të “rritur volumin e prodhimit” në sintezën e qumështit në mënyrë që të prodhohet qumësht shtesë nëse është e nevojshme (shumica e nënave mund të prodhojnë qumësht mjaftueshëm për të mbajtur vetëm me gji dhe pa shtesa binjakët apo edhe trinjakët). Gjatë disa muajve të parë, ky nivel i lartë i hormonit Prolaktin (që është hormoni bazë për prodhimin e qumështit) i cili është normal për javët e para, gradualisht zvogëlohet dhe shkon në nivelet që duhen për laktacionin e mëvonshëm. Pas kësaj pike është më e lehtë që trupi i nënës të rregullojë prodhimin e qumështit në bazë të nevojave që ka foshnja e saj.

Shumë nëna duke mos pasur informacione apo duke mos pyetur personat e posaçëm mbi fushën e laktacionit mendojnë se nuk e ngopin bebin me gji dhe i nisin suplementet shtesë. Ky është gabimi më i madh që ato bëjnë pasi në këtë mënyrë ato janë duke kontribuar vetëm në uljen e mëtejshme të sasisë së tyre e jo në përmirësimin e gjendjes së bebit. Nëse nënat kanë probleme apo janë të shqetësuara nëse janë duke prodhuar mjaftueshëm apo jo qumësht për bebin e tyre atëherë ju këshillojmë të bisedoni me një specialist laktacioni përpara se të bëni zgjidhjen e vendosjes së qumështit të farmacisë si shtesë.

Çdo nënë është totalisht e aftë dhe mundet ta ushqejë deri në fund fëmijën e saj me sasinë e duhur të qumështit për të cilën bebi ka nevojë.